Nga nxnësit, për nxënësit

Klubi i Karrierës vjen si një risi ndër klubet në gjirin mikpritës  të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Njëri nga themeluesit përgjigjet se si u krijua klubi: “Gjithçka zuri fill në një mbrëmje të freskët vere. Ne të tre si çdo herë po kalonim kohën bashkë dhe po bashkëbisedonim për ëndrrat dhe dëshirat tona. Vumë re që institucioni arsimor që  ndiqnim nuk i qartësonte idetë për gjetjen e një karriere pune. Papritur e papandehur u hodh ideja e krijimit të një klubi. Pohimi dhe miratimi ishte i menjëhershëm. Kjo si pasojë e dëshirës dhe vullnetit tonë për sipërmarrje.”

“Çfarë do të bëhem unë? Kjo ishte pyetja që filloi udhëtimin nëpër trurin tonë e mund të jetë pjesë e mendimeve të shumë të tjerëve në moshën tonë. Asnjëri nga ne të tre nuk e kishte vendosur se cfarë do të bënte… Problemi u bë i qartë dhe hapi i parë u mor. Vendosëm ta quajmë “Klubi i Karrierës”. Ne, nxënës të “Petro Nini Luarasit” në ndihmë të nxënësve të po kësaj shkolle. Nga kjo lindi dhe merr kuptim motoja jonë: Nga nxënësit, për nxënësit.”

Kjo ishte mënyra se si mori jetën një nga klubet më të rëndësishme dhe më aktive në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, i cili jo vetëm që po përgatit nxënësit për të ardhmen e tyre, por edhe po shpalos aftësitë e shumta të brezit tonë që fatkeqsisht më parë kanë qenë të pandriçuara nga drita e vëmendjes.