“Petroninasit”, në një realitet të merituar dhe të shumëpritur

Ka krijuar një kulturë të re pune dhe komunikimi, së pari me këshillin pedagogjik dhe më pas me nxënësit, prindërit, dhe komunitetin. Mundëson kushte që të gjithë nxënësit të arsimohen në bazë të mundësive të barabarta, duke nxitur dhe përkrahur fuqishëm edhe nxënësit me prirje të veçanta. Procesi mësimor zhvillohet  gjithmonë në mënyrë aktive dhe në përshtatje me nivelin e aftësive dhe interesave të nxënësve. Gjithmonë duke u përpjekur të ndërtojë  një klimë mbështetëse dhe inkurajuese për të gjithë aktorët bashkëveprues. Investimet ndër vite në mësimdhënie  kanë qenë një tjetër “çelës i suksesit” në “Petro Nini Luarasi”, i cili garanton ecurinë nëpërmjet orientimit drejt së ardhmes.

Punës së stafit pedagogjik i bashkëngjitet  pasioni dhe ambicia  pozitive për të qenë gjithmonë pararojë në rezultate dhe arritje. Arritje të cilat në përvjetorin e 60-të të krijimit të shkollës kurorëzohen me  dekorimin  nga Presidenti i Republikës, Z.Ilir Meta, me titullin: “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivimin “Në shenjë mirënjohjeje me rastin e 60-vjetorit të themelimit, për veprimtarinë e çmuar arsimore, si dhe për edukimin dhe kultivimin e vlerave morale e njerëzore të brezave të rinj, duke i bërë shembull të qytetarisë në shoqëri”, por jo vetëm. Në renditjen  midis gjimnazeve të Tiranës sipas Kartës së Performancës për vitin mësimor 2018-2019  në mënyrë të merituar “Petro Nini Luarasi” rrëmben vendin e parë, duke lënë pas gjimnazet “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali” si dhe “Sami Frashërin”.

TEUTA BRAÇAJ