Historiku

                                                  

 

Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” ka vite që i jep rinisë shqiptare dijet që do t’i çojnë drejt suksesit. Për vite me rradhë, mësimdhënia këtu në gjimnazin tonë është bërë me pasion të madh, për këtë shkak disa nga më të mirët e shoqërisë sonë kanë qenë nxënës të gjimnazit tonë

 

Historiku i Gjimnazit “Petro Nini Luarasi” 

 

Shkolla “Petro Nini Luarasi”, mban emrin e njërit prej veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, publicistit, pedagogut, dhe Mësuesit të Popullit, atdhetarit Petro Nini Luarasi. Ajo ndodhet në juglindje të Tiranës, në rrugën “Sami Frashëri” dhe është ndërtuar në vitin shkollor 1959. Deri në vitin 1965 ajo ka funksionuar si shkollë e mesme 11-vjeçare (sipas kësaj strukture I-IV, V-VII, VII-XI). Fillimisht shkolla ka patur rreth 1000 nxënës nga të gjitha ciklet, me 30 paralele dhe pranonte nxënës nga këto shkolla 7-vjeçare: “Emin Duraku”, “11-Janari” (sot “Edith Durham”), “Vasil Shanto”, “Luigj Gurakuqi”, “Alqi Kondi”,“Kostandin Kristoforidhi”, “Labinoti”.

 

Drejtuesit e shkollës ndër vite janë:
Riza Hajro (1959- 1965),
Kristaq Papapavli (1965- 1966),
Ylvi Basha (1966- 1967),
Manol Muçko (1967- 1969),
Sami Kotherja (nëndrejtor) (1969-1970),
Rudolf Paparisto (1970- 1986),
Jetmir Aliçka (1986-1989),
Violeta Qiriazi (1989-1992),
Gjergj Konomi (1992-2002),
Kostandina Çollaku (2002- 2006),
Diana Kalemi (2006-2013),
Teuta Braçaj (2014 e në vijim).

 

Që në hapat e parë të jetës së saj, shkolla shquhet për rezultate dhe arritje të larta, si e tillë ajo vlerësohet nga Ministria e Arsimit, si një nga institucionet më të suksesshme të arsimit dhe kultivimit të intelektualëve të vendit, nxitëse dhe motivuese për zhvillimin e përvojës së përparuar. Drejtuesit e kësaj shkolle, gjithashtu janë shquar për meritat e tyre në lidhje me korrektësinë, kreativitetin dhe zbatimin e filozofive të suksesshme në drejtim. Mësuesit e shkollës ndër vite, krahas performancës së lartë profesionale dhe qytetare, kanë demonstruar vazhdimisht vlera, përgatitje profesionionale, mentor për mësues të rinj, bashkëpunëtor në organizmat e larta të arsimit, autorë të suksesshëm tekstesh mësimore apo artistike, studimesh të ndryshme, si edhe producentë të shfaqjeve artistike mediatike dhe sportive. Mjaft prej tyre kanë ushtruar profesionin e tyre mësimdhënës edhe në universitete. Më 1968 krijohen laboratorët e parë mësimorë, të pasur me mjete didaktike, ambientet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake, ndër më të mirat në Republikë, si dhe i kushtohet rëndësi rregullimit estetik të mjediseve brenda dhe jashtë shkollës. Në shkollë organizohen seminare kombëtare në lëndë të ndryshme. Në të gjitha vitet në vijim shkolla “Petro Nini Luarasi”, përmendet për arritjet e larta, kultivimin e vlerave, edukimin e nxënësve, të cilët spikasin në studimet e larta , për njohuritë e ngulitura dhe të mirëkultivuara gjatë arsimimit në këtë institucion. Shumë nga nxënësit e dalë nga kjo shkollë kanë qenë jo vetëm studentët më të mirë në universitetet brenda dhe jashtë vendit, por edhe specialistë dhe figura të njohura, në fusha të ndryshme të aktivitetit jetësor në vendin tonë dhe jashtë vendit. Pjesëmarrësit e shkollës në konkurse e olimpiada të ndryshme kanë zënë vazhdimisht vende nderi. Zanafilla e këtyre veprimtarive nis herët, përmendim këtu psh, konkursin e kimisë në rang Tirane, vitet 1974-1975, ku shkolla vlerësohet me vendin e parë, e për të vijuar me një sërë trofesh gjatë gjithë viteve, deri në ditët e sotme. Gjithashtu, aktivitetet sportive kanë qenë të shumta, ku nga pjesëmarrjet në manifestimet, përmendim veçanërisht manifestimet e festës së 1 majit dhe puna e palodhur e mësuesve të edukimit fizik i madhi profesor Vojo Dervishi dhe deri sot kupat e marra në ndeshjet sportive dhe në shumë aktivitete e gara të ndryshme (si në gjimnastikë, atletikë, lojëra me dorë, futboll, shah, pingpong, mundje etj,) të rinj e të reja të kësaj shkolle janë nderuar me tituj e medalje.
Në vitet 1980, fillon të mësohet gjuha angleze dhe ajo frënge, si gjuhë të para e më tej, pas viteve `90, krahas anglishtes, si gjuhë e parë, mësohen edhe gjuhët e dyta të huaja, si: gjermanisht, italisht, frëngjisht, anglisht. Gjatë viteve 1986-1990 shkolla rikonstruktohet. Përmirësohet infrastruktura e brendshme dhe e jashtme e saj, ndërtohet shtesa e godinës, suvatohet fasada e jashtme, gjelbërohet ambienti dhe krijohen kushte komode në klasat dhe ambientet e brendshme. Gjatë kësaj kohe, i kushtohet rëndësi edhe përmirësimit të bazës materiale laboratorike: pasurohet laboratori i kimisë, ai i gjuhëve të huaja, ndërtohen 2 palestra për forcë dhe aerobi, sistemohen terrenet sportive përreth shkollës. Në orën e mësimit u aplikua me sukses të mësuarit problemor, aktiv e krijues; U aplikua për herë të parë mësimi i kompjuterit në laborator.
Në 1990-1992 vendosen lidhje me UNESCO-n dhe shkolla bëhet pjesë e rrjetit të shkollave të mesme perëndimore. Në kuadrin e këtij rrjeti, vendosen bashkëpunime me disa shkolla, me të cilat shkëmbehet përvojë, literaturë dhe informacione, që ndihmuan në njohjen e proceseve të reja demokratike në shoqëri dhe në shkollë. Kjo hapje ndihmoi fillesat e përdorimit të metodave të reja në procesin e mësimdhënies dhe të edukimit, duke krijuar kështu një bazë shumë të mirë për thellimin e proceseve demokratike në shkollë dhe për përdorimin e teknologjive të reja dhe efikase në procesin e mësimdhënies dhe të edukimit.

 

Në këtë frymë, realizohen disa binjakëzime me shkollat e Kosovës, Gjermanisë, Rumanisë e Holandës, të cilat i shërbyen shkëmbimit të përvojave pozitive mes vendeve pjesëmarrëse në aktivitete të ndryshme. Përmendim projektin “Plato”, i financuar nga shkollat evropiane për shkollat e vendeve të Lindjes i zbatuar në një hark kohor 1998-2004, ku përfaqësi me mësues dhe nxënës nga shkolla, prezantojnë aktivitetet e tyre kulturore, në Mynih e Rumani dhe gjimnazi “Petro Nini Luarasi” spikat dhe vlerësohet ndër shkollat pjesëmarrëse nga Finlanda, Rumania, Gjermania e Afrika. Shkolla fiton dhe forcon kështu frymën e përfaqësimit në aktivitete jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit.

 

Në 1998 Shkolla shpallet fituese e dy edicioneve të para të RINFEST dhe më pas RINART, si dhe në disa prej konkurseve kombëtare të poezisë, prozës, interpretimit dhe informatikës. Ajo shquhet vazhdimisht për për numrin e lartë të nxënësve me notën mesatare mbi 8 si dhe numrin e lartë të nxënësve fitues në olimpiada, konkurse apo aktivitete.

 

Në vitin 2001 vijon një rikonstruksion i përgjithshëm i shkollës, i cili përmirëson më tej kushtet për zhvillimin e procesit mësimor, duke qenë se ajo vlerësohej si shkollë e vlerave morale, njerëzore dhe demokratike. Gjatë kësaj periudhe, shkolla pati një progres të dukshëm në mësimin e përvetësimin e gjuhëve të huaja (anglisht, italisht, gjermanisht e frëngjisht). U realizua lidhja me internetin në laboratorët mësimorë.
Rikonstruksioni i brendshëm i shkollës me shtrimin e pllakave të reja, dyerve, bazës materiale në klasa dhe tualeteve është bërë në 2009-2010 dhe i fushave sportive në 2017 .
Në kuadrin e lëvizjes “Shkolla për integrim evropian” zhvillohen një sërë aktivitetesh, të cilat gjallërojnë jetën e shkollës dhe komunitetit përreth. Përmendim aktivitete të tilla, si: Java e Kulturës Evropiane; Dita e Poezisë Evropiane; Dita e Prozës Evropiane; Dita e Institucioneve me Dyer të Hapura; Evropianët e Rinj (1 Qershor 2004); Evropa në orët tona mësimore etj. Shkolla përfaqësohet në “Kampin Rinor Ballkanik” dhe më pas në “Kongresin e Parë të Fëmijëve dhe të Rinjve Ballkanikë”, “Nga ne në rajon dhe të gjithë së bashku në Evropë”, etj. Në këtë kuadër ajo shpallet nga “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe Bashkia e Tiranës si shkolla e Modelit Evropian. Projektet dhe veprimtaritë e nxënësve të kësaj shkolle e kanë shtrirë shkallën e arritjes jo vetëm brenda vendit (ku shkolla përfaqësohet në të gjitha konkurset e olimpiadat dhe fiton çmime dinjitoze), por edhe jashtë vendit (Evropë, Sh.B.A e Rusi). Lista e nxënësve fitues në aktivitete të fushave të ndryshme, si në art, sport e shkencë, olimpiada kombëtare e ndërkombëtare, në këtë shkollë ka qenë dhe mbetet shumë e gjatë.
Biblioteka e shkollës zë fill me themelimin e saj. Ajo ka qenë vazhdimisht funksionale dhe e pasur me tituj të larmishëm. Janë 925 botime autorësh gjithsej, nga të cilët 336 janë të huaj dhe 589 autorë shqiptarë. Në vitin 2011 bëhet edhe katalogimi digjital i librave të saj. Sot biblioteka është jo vetëm funksionale, për leximin por ajo shërben edhe si një qendër e zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme të shkollës.
U krijua gazeta e shkollës “Ëndrra që s’humb” si mjet për trajtimin e problemeve të nxënësit, një traditë e përsëritur në disa vite me radhë.

 

Një punë e madhe bëhet në vitet 2002-2003 edhe në fushën e botimeve, nga nxënësit dhe mësuesit. Ky fond është ende pjesë e rëndësishme e bibliotekës së pasur të saj. Përmendim botimet: “Përballje me prozën franceze” (libër studimor–bashkëpunim i mësuesve e nxënësve); “Novacione didaktike” (metoda të mësimdhënies – nga mësuesit e shkollës”; “Kënga e Hajavathes” (prozë), “Bardh e zi” (poezi,ese) botuar nga nxënësja A. Vejsiu, 2002 “Orë e Sibilave – Poezi nga 45 poetesha të botës” përkthyer nga nxënësit, nën kujdesin e mësuesit të letërsisë Qazim Sheme dhe bashkëpunimit me mësueset e gjuhëve të huaja. Sesioni shkencor “ Analiza e prozës franceze”, kurorëzohet me vëllimin “Përballje” (marrë nga “Libri i artë i prozës franceze”) botim i shkollës së mesme, 2003. Mësueset e departamentit kanë qenë vazhdimisht kreative dhe janë përfaqësuar me një sërë shfaqjesh dinjitoze teatrale, ndër të cilat përmendim: teatrin “Romeo e Zhuljeta” i shfaqur në Rumani, “Gjakmarrja” në Sibiu të Rumanisë, (nën kuadrin e projektit “Plato”), “Gjaku i 44-ës në damarët e 90-ës, një teatër ky për festat e Nëntorit, “Il povero Piero” (https://www.youtube.com/watch?v=uMAN-ILT2Og) teatër në gjuhën italiane, i realizuar në bashkëpunim me mësueset e kësaj gjuhe. Mjaft të suksesshme, të realizuara në skena të mëdha teatrale dhe me nje jehonë të gjerë mediatike janë edhe shfaqjet teatrale, si: “Edipi mbret”, “Balloja e Shekspirit”, “Gratë në Parlament” (https://www.youtube.com/watch?v=qqoH6ise1tE), “Kolazh nga Shekspiri” (https://www.youtube.com/watch?v=9oRDRnWX8B4&t=14s), “Duke pritur Godonë”, “I sëmuri për mend”, si dhe shfaqja më e fundit teatrale në tetor 2018 “Urime 1937” (https://www.youtube.com/watch?v=ZxseKbn013U) kolazh i veprave të Migjenit traditë e mësueses së letërsisë Anila Shahu për çdo maturë që përcjellë.
Në vitet 2013-2016 shtrihet aktiviteti “Unë qytetari më i ri në BE”, me botime dhe revista pasqyruese të kësaj tematike. Projektet e departamentit të letërsisë kanë qenë të shumta, ndër to: projekti për revistën “Merliht”, ku u analizuan materiale, studime vlerësuese, projekti “Eja të lexosh në PNL” , krijimi dhe funksionimi Yuoth club https://www.facebook.com/youthclubpnl/ i drejtuar nga mësuese Oriana Osmani me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, realizimet e orëve digjitale në këtë lëndë për projektin 3 lëndë në 6 orë realizim i videove tutoriale në lëndët letërsi mësuese Oriana Osmani, gjeografi mësuese Fatbardha Hoxha, filozofi mësuese Mirela Katundi, informatik mësues Almir Gjata.
Departamenti i shkencave sociale përfaqësohet denjësisht nga 2 klube, ndër të cilët, ai i biznesit daton që në vitet 2001. Kështu, krijohet kompania e biznesit “Petro Corp” mbështetur nga fondacioni “Junior Achievement Albania”, nga Ministria e Arsimit dhe nga DAR Tiranë dhe i drejtuar nga mësuese Merita Xhoxhaj. Në vitet 2002-2003 kjo shpallet dhe “Kompania e vitit” në shkallë vendi. Kompania fillon botimin e gazetës “Ekspo-Biz Petro Corp”. Në vitet 2007-2008 kjo kompani u vlerësua me vendin e dytë në vend. Në vitet 2012-2013 krijohet kompania e biznesit “Hakuna Matata” nën kujdesin e mësuese Alma Mancaku, e cila përfaqësoi Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar në Londër dhe u radhit ndër 9 skuadrat më të mira pjesëmarrëse. Çdo vit krijohet nga nxënësit kompani e re edhe në 2017-2018 morën vlerësimin si kompania më e mirë e vitit. Këto kompani shquhen për jetën e tyre aktive në fushën e biznesit dhe vlerësohen me çmime të shumta në shkallë vendi nga universitetet dhe partneritetet bashkëpunuese.
Në vitin 2011 krijohet grupi “Social-Club PNL” me moton: “Së bashku në sfidat që na presin”, nën drejtimin e mësueses Keti Pano i cili organizon një sërë veprimtarish humanitare në ndihmë të fëmijëve në nevojë, në raste fatkeqësish, vizita në “Shtëpinë e të moshuarve” në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli”, në spitalin pediatrik në Q.S.U.T “Nënë Tereza”, etj. Që nga viti 2016 Klubi social drejtohet nga mësuese Mirela Katundi ka pjesëmarrje mjaft të gjerë të nxënësve të shkollës dhe është prezantuar me veprimtari të suksesshme, si: Nisma “PNL nje me JU” në 2016 (https://www.facebook.com/PNL-Nj%C3%AB-me-Ju-188377204863420/ ), Projekti nga fondacioni Soros “Re-debate” për debatin dhe dialogun modern, ku nxënësit u çertifikuan dhe dolën ndër tri shkollat më të mira në Shqipëri, bashkëpunimet me shkollat në vend për konferencën e përbashkët “Ligji dhe unë” e ideuar dhe organizuar nga nxënësja Jeta Kreka dy vjet rresht, vlerësim me titullin “Kampion” për nxënësen Kristi Lame në dialogun digjital të organizuar nga Instituti Toni Bler në Londër, më 2018.
Shkolla ka qenë vazhdimisht pilot në zbatimin e projekteve dhe risive, ndër të tjera, edhe në fushën e shkencës. Përmendim këtu, nga e shkuara, aplikimin e modelit A-94, në lëndën e kimisë nga Instituti i Studimeve Pedagogjike, apo ndërtimin e laboratorëve digjitalë nga viti 2015, ku zhvillohet mësimi digjital me tableta, në ditët e sotme.
Si qendër e inovacionit dhe përqafimit të projekteve, “Petro Nini Luarasi” vlerësohet me vendin e parë, në rang kombëtar për projektin ’Innovative Educators Forum Microsoft”, 2011 . i drejtuar nga mësueset Teuta Braçaj ( sot drejtoresh), Oriana Osmani, Stela Kamberi, Liliana Guga.
Shkolla është e pajisur me databeisin e saj elektronik, nëpërmjet të cilit mundësohet pajisja me dokumentacionin e kërkuar në kohë të shpejtë. Mësuesit e informatikës kanë mundësuar krijimin e këtij sistemi arkivor, i cili menaxhohet nga sekretaria e shkollës. Edhe lëndët e kimisë, fizikës dhe biologjisë përfaqësohen mjaft denjësisht nëpërmjet punës së tyre në aktivitete të tilla, si: ‘Panairi i projekteve”, traditë e përvitshme kjo në shkollë, konkurse midis klasave, krijimi i serës në lëndën e biologjisë mbështetur nga projekti SEECEL 2017, pasurimi i vazhdueshëm i lulishtes dhe gjelbërimit të shkollës me kontribut të prindërve dhe nxënësve, etj.
Klubi më i ri në shkollë është ai i matematikës i ideuar dhe drejtuar nga mësuese Mirela Gjakrosa “Më fal, po mësoj matematikën”, i krijuar në 2016. Puna serioze e mësuesve të këtij departamenti, sjell vazhdimisht rezultate të larta në olimpiadat kombëtare e ndërkombëtare, ku përmendim: Fitoren e medaljes së bronzit në Olimpiadën e 58-të ndërkombëtare, në Rio de Janeiro, Brazil, nga nxënësi Lorenc Bushi, 2017, i cili është gjithashtu fitues i vendit të tretë në Olimpiadën Ballkanike (36 th Balkan Mathematical Olympiad) po në këtë vit.
Departamenti i historisë, shquhet gjithashtu për jetën e pasur dhe aktive. Klubi i Historisë i drejtuar nga mësuese Mirela Novruzaj ( sot nëndrejtoresh ) ka realizuar projekte të ndryshme, si: “Tradita shqiptare”,“Converse”, realizimi i Videoklipit “Himni i flamurit” me bashkëpunimin e të gjithë maturantëve të shkollës, “Vallja arbëreshe” me rastin e Vitit të Skënderbeut, ku morën pjesë 100 vajza, nxënëse të shkollës, dokumentarët e ndryshëm, si psh: “100 vjet shtet”, panaire të trashëgimisë kulturore etj janë vetëm disa nga puna e vijueshme e këtij grupi (https://www.youtube.com/user/Histori2012). Për zhvillimin cilësor të aktiviteteve me rastin e 70-vjetorit të çlirimit gjimnazi “Petro Nini Luarasi” vlerësohet me Certifikatë nderi dhe zë vendin e parë në vitin 2014.
Qysh më 2011 krijohet Klubi “Geo Club” dhe drejtohet nga mësues Artan Nuriu i cili ka ngritur kabinetin e gjeografisë(http://arsimidheturizmi.com/). Qëllimi i i këtij grupi ishte zbulimi dhe evidentimi i vlerave turistike dhe mjedisore të vendit tonë. Ky klub vijon funksionimin e tij edhe sot me një sërë aktivitetesh: konkurse, vizita turistike në qytete të ndryshme të vendit.
Në gjimnazin ” Petro Nini Luarasi”, studiohen 4 gjuhë të huaja, nga të cilat, anglishtja dhe frëngjishtja, si gjuhë të para, ndërsa gjermanishtja,frengjishtja dhe italishtja, si gjuhë të dyta. Gjuha angleze, e cila ka qenë vazhdimisht gjuhë e parë ka qenë një pikë e fortë, për rëndësinë e saj si gjuhë ndërkombëtare, urë lidhëse me studimet përtej kufijve. Gjuha frënge, e nisur që në vitet `80, si gjuhë e parë, vijon të mësohet në shkollë për disa vite me radhë si gjuhë e dytë, deri kur, në vitin 2015, ajo rikthehet sërish si gjuhë e parë me rëndësi njohjeje. Ndër aktivitetet e shumta e të përvitshme që organizoheshin me nxënësit, nga e shkuara, veçojmë konkursin spektakël në gjuhën frënge “Rinia dhe pasionet e saj”, konkurs që u shpall me rastin e 30-vjetorit të krijimit të shkollës “Petro Nini Luarasi”. Konkursi i frankofonëve me recitime, intervista e momente muzikore, u realizua në bashkëpunim me regjizorë të njohur, në mjediset e Piramidës dhe vlerësohet nga juri në përbërjen e së cilës ka pedagogë e mësues të gjuhës frënge, përfaqësues nga Ambasada e Republikës së Francës në Shqipëri, dhe përfaqësues të institucioneve qëndrore të arsimit. Në vitin 1992, një grup prej 9 nxënësish fitues, ndër 200 pjesëmarrës, të gjimnazeve të Tiranës, në konkursin e gjuhës frënge, të zhvilluar nga Ambasada e Republikës së Francës në Shqipëri, si dhe pedagogë të gjuhës frënge në Universitetin e Tiranës, udhëtojnë dy javë në jug të Francës (Marsejë e qytetet përreth) https://www.youtube.com/watch?v=zBtzxj4Imw0&list=PLbtAkDIGuomcyh4W0U9cBAzw8FCMkSrM_
Departamenti i Gjuhëve të huaja është vazhdimisht organizues i mjaft aktiviteteve cilësore, si projekte, olimpiada, shfaqje teatrale, konkurse etj. Përmendim këtu, vetëm disa prej tyre, si: projekti “Quando leggere diventa un gioco” 2012; Scuola e intercultura:”I ragazzi albanesi si raccontano e si confrontano” Ky aktivitet ishte një takim ndërmjet nxënësve të shkollës “Petro Nini Luarasi” dhe rrjetit Rete Uomo Mondo For Unity-Puglia, Albania Macedonia.
Nën drejtimin e mësueses Albana Muceku është ngritur klubi Alba Junior me pjesëmarrje të nxënësve dhe mbështetje të ambasadës italiane janë realizuar mjaft aktivitete. https://www.facebook.com/giovanialbanesi.italofoni.5Tradita vazhdon dhe shkolla është fituese e vendit të dytë në Festivalin internacional të kinemasë GEF,19-th edition,The World festival of creativity in schools, Finals Sanremo (Italy), maj 2017.

 

 

Vendosen në skenë disa shfaqje teatrale në gjuhët angleze, frënge, gjermane dhe italiane nga nxënësit e shkollës.
Aktivitetet, çmimet dhe trofetë e marra nga nxënësit në fushën e edukimit fizik janë të shumta. Ndër to përmendim: Kupa Soros në finalen “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa” në futboll, 2004; 6th International Karate tour “Gostivar Cup 2007”; “Albanian model Universe”, Best delegate, 2009; “Kampionati i minifutbollit”, fitues të vendit të tretë, 2012; Diplomë nderi me rastin e 70-vjetorit të çlirimit, jepet kupa për fitoren në volejboll/femra dhe meshkuj nga Federata Shqiptare e Volejbollit, 2014; Medalje në karate, Turneu i V-të ndërkombëtar, “Gostivar Cup”, 2016; First place UNYT Voleyball championship, 2016; Vendi i parë në Kampionatin e shkollave të mesme, volejboll/femra 2017 të përgatitura nga mësuese Rudina Omari; Vendi i parë dy vjet radhazi 2017 dhe 2018 ne futboll femra të përgatitura nga mësues i edukimit fizik Arben Feshti dhe Vend i parë ne basketboll meshkuj të përgatitur nga mësues i edukimit fizik Indrit Fagu.
Senati i parë i shkollës fillon të fuksionojë që në vitet 1997, një projekt, ky i fondacionit “Soros”. Veprimtaria e tij ishte e dobishme në aspektin e jetës kulturore, me një sërë aktivitetesh, por edhe ndihmesë në mbarëvajtjen e jetës në shkollë. Në prill 1998 për të parë me qartë veprimtarinë e senateve, mundësohet nga projektuesit një udhëtim në U.S.A, i cili i shërbeu bashkëpunimit mes palëve. Kjo traditë binjakëzimesh vijon edhe sot, kështu Senati i shkollës ka partneritete me senatin e gjimnazit të Korçës “ Raqi Qirinxhi” dhjetor 2015, të Shkodrës “ 28 Nëntori” prill 2016, të Ersekës 2018, ka qenë në shkollën e mesme Gjon Buzuku” Prizren, në shkollën e mesme në Comachio të Italisë në 2017 dhe së fundi binjakëzim me gjimnazin e vetëm që mësohet gjuha shqipe në Kalabri Gjimnazi “San Demetrio de Corona” në maj 2019.
Gjithashtu, Senati i shkollës, si një organizëm i lirë dhe i pavarur zhvillon në vijimësi të traditës, një mori aktivitetesh si: shfaqje artistike,urim mësueseve dhe nënave për festat e 7 e 8 Marsit, ballo festive, ceremoninë e përvitshme të diplomimit “Rrugëtim të mbarë Petroninsa!” me maturant, prindër e komunitet,veprimtari humanitare, aksione për gjelbërimin e mjediseve, etj. Takimet mes brezave të petroninsave janë kthyer tashmë në traditë, përmendim këtu, takimet e tyre me rastin e 10-vjetorit, 30-vjetorit, 35-vjetorit, e në dhjetor të 2014 realizimi i veprimtarisë artistike me rastin e 55-vjetorit të shkollës, një event me jehonë të gjerë, një numër të madh të ftuarish, i zhvilluar në sallën e Kishës Ortodokse, Tiranë. Shërbimi i psikologut dhe punonjësit social në shkollë fillon më 2004-ën, ndërsa ai shëndetësor: mjek/e, infermiere, dentiste ka qenë i hershëm. Nga viti 2018 ka filluar dhe shërbimi i oficeres së sigurisë për të patur shkolla sa më të sigurta.
Kurrikula ka qenë vazhdimisht në proces ndryshimi. Nga vitet 2007-2011 vazhdon profilizimi: në lëndë shoqërore dhe shkencore. Në vitin 2011 aplikohet kurrikula me zgjedhje, ku nxënësit i zgjedhin lëndët sipas preferencave. Meritat preferenciale (lëndët e zgjedhura), si dhe vlerësimi i Maturës Shtetërore ndikojnë drejtpërdrejt në selektimin dhe vijimin e studimeve universitare. Arritjet e hershme: Për arritje të spikatura në Maturën shtetërore 2014 i jepet gjimnazit “Petro Nini Luarasi” çertifikatë vlerësimi duke zënë kështu, vendin e V-të në renditjen kombëtare të gjimnazeve publike.
Sot shkolla ka reduktuar numrin e lartë të nxënësve në klasa, i cili ka qenë deri në 50 nxënës në vitet 2004-2008, duke e limituar atë në 35 nxënës për klasë, kriter ky i cili ka ndihmuar në mbarëvajtjen mësimore. Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” pranohen nxënës me mesatare të lartë nga shkollat “Edith Durham”, “ Dëshmorët e Lirisë” dhe “Emin Duraku”.
Nga muaj mars i vitit 2014 dhe sot vazhdon të jetë Shkollë Qendër Komunitare me dyer të hapura për komunitetin. Aktivitetet që zhvillohen në shkollën tonë gjithmon janë rezultat i bashkëpunimit të nxënësve, prindërve, komunitetit dhe mësuesve. Në linkun e mëposhtëm do të gjeni disa nga këto aktivitete. https://www.youtube.com/channel/UCqAUC9hHzl24UdGm0oFLvZQ?view_as=subscriber
Nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” sot studiojnë kudo në universitete të suksesshme brenda dhe jashtë vendit. Rezultatet e tyre të larta dhe dijet e qëndrueshme i bëjnë ata, të renditen ndër studentët më të mirë kudo në botë. Si rezultat i arritjeve 60 vjeçare presidenti i Republikës së Shqipërisë Z Ilir Meta, në prill 2019 dekoron shkollën me titullin :
                KALORËS I URDHËRIT TË FLAMURIT
për veprimtarinë e çmuar arsimore si dhe për edukimin dhe kultivimin e vlerave morale dhe njerëzore të brezave të rinj duke i bërë shembull të qytetarisë në shoqëri.
gusht 2019 ( Presim sugjerime) vazhdon…
LISTA E TROFEVE
· Fitues në Rin-Fest, 1998.
· 5-th Munich 2005, 3 platz.
· Kupa “Soros” në finalen “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa” në futboll 2004.
· DAR dhe Bashkia e qytetit vlerëson gjimnazin “Petro Nini Luarasi” si shkollën me jetën më aktive qytetare kombëtare, 2004.
· 6th International Karate tour “Gostivar Cup 2007”.
· ‘Albanian model Universe”, Best delegate, 2009.
· “Promofest 2011”, merret çmimi “Shkolla më e mirë”.
· “’Innovative Educators Forum Microsoft”, First price, 2011.
· ‘Kampionati i minifutbollit”, fitues të vendit të tretë, 2012.
· Certifikatë dhënë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” për arritje të spikatura në Maturën shtetërore 2013-2014 duke zënë vendin e V-të në renditjen kombëtare të gjimnazeve publike.
· Certifikatë nderi dhënë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” , për vendin e parë në aktivitetin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, 2014.
· Diplomë nderi me rastin e 70-vjetorit të çlirimit, jepet kupa për fitoren në volejboll/femra dhe meshkuj nga Federata Shqiptare e Volejbollit, nëntor 2014.
· CIT Youth Challenge Competition, 2 place, 2014.
· Fitues i çmimit të parë në konkursin e gjuhës frënge 2015.
· Medalje në karate, Turneu i V-të ndërkombëtar, “’Kup na Gostivar”, 2016.
· Fituese e medaljes së artë për nxënësen Kamila Novruzaj dhënë nga kryeministri i Shqipërisë, 2016.
· Fituese e vendit të pare në konkursin “Tirana Art Fest” dhe çmimi i interpretimit në “Këngën magjike”, nxënësja Rea Nuhu.
· First place UNYT Voleyball championship, 2016.
· Vendi i parë në Kampionatin e shkollave të mesme, volejboll/femra, 2017.
· Fitues i vendit të tretë në Olimpiadën Ballkanike (36 th Balkan Mathematical Olympiad), si dhe fitues i medaljes së bronxit, në Olimpiadën e 58 ndërkombëtare, në Rio de Janeiro, Brazil, nxënësi L.Bushi, 2017.
· Fitues të vendit të dytë në Festivalin internacional të kinemasë GEF,19 edition, The World festival of creativity in schools, Finals Sanremo (Italy), maj 2017, nxënësit D.Sina, A.Bajramaj, I.Dedja, F.Baramuça.
· Fituese e çmimit të parë për videon më të mirë në kategorinë multimedia në Tirana Art Fest, 2017, nxënësja R.Salko.
· Fituese e çmimit “Shfaqja më e mirë”, “Grupi më i mirë në hip-hop”, i jepet gjimnazit “Petro Nini Luarasi” për performancën më të mirë në “Rin-Art Fest 2018”.
· Fitues në Tirana Art Fest, për “Interpretimin më të mirë në këngë”, 2018.
· Binjakëzim me shkollën ukrainase “Adarionnost”, Kharkiv State Academy of Design and Fine Arts, 2018.

 

· Binjakëzim me gjimnazin San Demetrio Corone në Kalabri ku mësohej gjuha shqipe http://www.iosandemetrio.edu.it/ maj 2019

Arritje të shkollës sonë

 
Rruga Sami Frashëri, Tirane, Albania

Na ndiqni në: