Oriana Osmani ka lindur në Tiranë në vitin 1976. Është e martuar dhe është mamaja e Greisit, diplomuar në fushën e mjekësisë. Është edukuar nga dy prindër intelektualë me dashurinë për punën, respektin për familjen dhe veten, si dhe altruizmin në shoqëri, parime këto që do e ndjekin deri në fund të jetës.
Zotëron dy diploma: një të Fakultetit të Filologjisë në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi, si dhe diplomën e dytë në Fakultetin e Drejtësisë, të dyja pranë Universitetit të Tranës. Ka përfunduar Masterin Shkencor në fushën e letërsisë, si dhe Master Profesional në E drejtë Civile në sistemin me kohë të plotë.
Ka mbrojtur gjuhën angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, provimin Aptis nga British Council, si dhe gjuhën italiane me anë të provimit ndërkombëtar CEL-i, gjithashtu edhe pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Punësimi i saj ka filluar që nga viti 1999 si redaktore shkencore e teksteve të letërsisë në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor Pas privatizimit të kësaj shtëpie botuese Oriana konkurron pranë Drejtorisë Arsimore të Tiranës për pozicionin e mësueses dhe e fiton atë pas tri fazave konkurrim. Emërohet në shkollën “ Besnik Sykja” ku qëndron vetëm një vit e më pas emërohet drejtore e shkollës “ Jeronim de Rada”. Pas kësaj eksperience emërohet mësuese pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Falë aftësive të saj, në vitin 2011 emërohet nëndrejtore e këtij gjimnazi. Në 2014 emërohet përsëri mësuese pranë këtij gjimnazi.
E sot zonjën Osmani e gjejmë drejtore të këtij institucioni. Pavarësisht lëvizjeve në profesion zonja Osmani do të shprehej kështu: “Një gjë është e sigurt, se edhe pse mund të ndryshoj pozicion asgjë s’më bën të harroj se jam në një mision, në një mision ku do të më duhet të jap shpirtin për të iluminuar nxënësit e mi. Tashmë në detyrë, kuptoj rolin tim ndaj kolegëve dhe nxënësve, uroj të përcjell vizionin tim te ta!”
Gjithashtu, prej 6 vitesh, punon si pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, ku zhvillon lëndët: Etikë dhe lidership, Mendimi Shqiptar 1870-1945, Këshillim filozofik dhe Filozofi edukimi.
Në vitin 2023, pas 23 viteve punë, falë inovacionit në mësimdhënie, sjelljes së metodologjive të reja në mësimdhënie, ku midis tyre metoda Six Thinking Hats, ka fituar kategorinë I në arsim, titullin „Mjeshtër në arsim“ me vlerësimin „Shkëlqyeshëm“.
Ka një eksperiencë 24 vjeçare tashmë në profesion, numëron disa çmime në karrierën e saj, dhjetëra projekte në funksion të komunitetit dhe nxënësve, disa shkrime në funksion të arsimit, gati njëqind libra të redaktuar qofshin këta shkollorë apo letrarë.
Tashmë eksperte në çështje të ndryshme arsimore, bashkëpunëtore në ekipe të ndryshme për vlerësim në arsimin parauniversitar.
Në vitin 2020, teksa Shqipëria kalonte një periudhë të vështirë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, që solli dhe sfida të reja për sistemin arsimor, u krijua një hapësirë e veçantë e mësimit në distancë, RTSH Shkollë, duke u bërë një dritare e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe aftësive mes mësuesve dhe nxënësve.Për muaj me radhë përmes filmimit në RTSH, zhvillojë temat mësimore në lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi për klasat X, XI dhe XII, video këto që në kanalin zyrtar të Youtube kalojnë 22 mijë shikime. Këto shifra tregojnë se falë shpjegimit ka arritur të depërtojë te çdo nxënës, kudo që ndodhet në Shqipëri, që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë e të mund ta dëgjojë mësimin, ta ndjekë mësimin e të plotësojë bindjen e vet për atë lëndë e mësim të veçantë. Gjithashtu, këto shifra të larta tregojnë se një mësim i pasur në shpjegim dhe pasion mund të ndryshojë për mirë përvojën e mësimit të secilit nxënës, pse jo edhe te kolegët.
Është krenare që ka qenë pjesë e një projekti kaq frymëzues dhe ka arritur të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së mësimit në distancë. Përpjekjet e saj janë përqendruar në kultivimin e një mjedisi mësimor stimulues dhe në inkurajimin e nxënësve për të arritur më të mirën në të gjitha nivelet e njohurive.
Këto dy vite, ka pasur privilegjin e të qenit pjesë e ekipit të hartimit të pyetjeve për Konkursin e Parë Kombëtar të Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta „Gjuha jonë sa e mirë“, transmetuar në kanalin RTSH Shkollë. Po ashtu, falë eksperiencës dhe modelit të ofruar në ekipin e hartimit, ka qenë pjesë e ekipit të hartimit të dokumentit zyrtar për renditjen e gjimnazeve që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri.
Është lektore në disa seminare dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare të realizuara brenda dhe jashtë vendit për arsimin. Disa ndër to janë zhvilluar në Milano, në Tunisi dhe në Kosovë. Të gjitha aktivitetet janë të certifikuara nga vendet mikpritëse.
Nuk mungon pjesëmarrja e saj në konferenca shkencore të mbajtura nga Universiteti i Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës etj., edhe këto të certifikuara nga secili universitet.
Dëshira e saj për përmirësimin e aftësive dhe njohurive në fushën e teknologjisë së informacionit në arsim është demonstruar përmes fitimit të “Çmimit të parë nga Microsoft Albania dhe MAS për punimin më të mirë të prezantuar në konkursin vjetor të Mësuesit Inovator.”
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i profilit të saj profesional është angazhimi në projekte të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin me Observatorin e të Drejtave të Fëmijëve.
Certifikatat e arritura nga trajnime të ndryshme, përfshirë ato nga Infosoft, UNFPA, dhe Center for School Leadership, shënojnë përkushtimin e saj të vazhdueshëm për zhvillimin profesional dhe përmirësimin e praktikave arsimore.
Duke marrë parasysh aftësitë e zhvilluara në analizën dhe rekomandimet për ndryshim në kurrikulën parauniversitare, si dhe pjesëmarrjen aktive në konferenca shkencore, Oriana Osmani shpreh dëshirën e saj që të vazhdojë të kontribuojë në fushën e edukimit. Përvoja e fundit, si koordinatore në projektin “Be a Voice” nga organizata joqeveritare “Gruaja në Zhvillim,” ka rritur aftësitë e saj në menaxhimin e projekteve dhe ndërtimin e bashkëpunimeve efektive.
Ka aftësi të shkëlqyera në etikë dhe komunikim. Aftësi e provuar në zgjidhjen e problemeve duke improvizuar efikasitet dhe punë të orientuar. Ide inovative në mësimdhënie si dhe background i gjerë në gjuhë. Aftësi organizative në punën në grup si dhe imponimin e ideve vetjake.
Tashmë, pas këtyre 24 viteve punë gjithmonë kërkon që aftësitë, njohuritë dhe eksperiencat e fituara t’i vendosi në zbatim për ide të reja, pozicione të reja. Ka aftësinë e duhur për të punuar me një grup të kualifikuar, për mbarëvajtjen e arsimit shqiptar. Ka aftësinë e duhur për të zgjidhur probleme të ndryshme, përmes komunikimit analizës së problemeve, etikës etj. Ka pjekurinë, energjinë e duhur që i duhet një nëpunësi për të realizuar qëllimet e tij