Mbrëmje letrare

Muzika e ëmbël e pianos të merr me vete, sapo hyn në oborrin e shkollës “Dëshmorët e Lirisë”. Njerëz që nxitojnë i shkojnë pas melodisë drejt katit të tretë, ku janë mbledhur nxënësit krijues të gjimnazit “Petro N. Luarasi”. Natasha Lako, Primo Shllaku, Izet Duraku dhe Rexhep Shahu do të jepnin notën e tyre për këta gjimnazistë të talentuar, pjesëmarrës në aktivitet, si një formë mbështetje për rrugën e letërsisë që sapo kanë filluar.

Në një panel formësuar si Olimpi, kanë zënë vend Bora, Joni, Anja, Alteo, Idris, Zhaklina, Natalia, Klodiani, Anisa, Ardieni dhe Sindi. Nuk i fshehin aspak emocionet kur këmbejnë shikimet
me të ftuarit specialë dhe me publikun që ka mbushur plot sallën. Duartrokitjet shkundin pak emocionin që ka zënë vend në fytyrën e secilit prej nxënësve dhe mësuese Anila, shënon fillimin e kësaj mbrëmje letrare. Tani emocioni ishte në anën tjetër, atë të sallës, ku mes publikut me të ftuar, janë prindërit e krijuesve të rinj, ndjekin me ankth fëmijët e tyre. Poezitë dhe rrëfimet janë befasuese. Po kaq befasuese edhe pjesa e romanit të Sindit dhe monologu i Ardienit.

Nëndrejtoresha e shkollës, Manjola Daulle, ka vetëm fjalë falënderuese për gjithë ata që mundësuan këtë aktivitet, mësueses, nxënësve, të ftuar specialë dhe garanton mbështetje për talentet e reja. Kjo ishte e para mbrëmje letrare e një rrethi tashmë të rikthyer në shkollën Petro Nini Luarasi, si një mënyrë për t’i hapur derën krijuesve të rinj që takime të tilla të bëhen traditë. Në dalje, pianoja ka ndalur muzikën. Në mendjen e secilit prej atyre që ishin në këtë festë letrare, kalojnë vargjet dhe fjalitë e krijimeve të atyre që nesër do të synojnë të jenë emrat e artë të letërsisë shqiptare. Sigurisht që talentin e kanë, ëndrrat e mëdha, mbetet vetëm të kultivojnë me punë aftësitë e tyre që një ditë të kthehen në shkollën e tyre dhe të rrëfejnë këtë histori.